Shfleto legjislacionin
Kategori
Lidhje
?
?
?
Publikimi
0
0
Jan
Feb
Mar
Apr
May
2020
Jun
Jul
Aug
Sep
2021
2019
Oct
Nov
Dec
Jan
Feb
Mar
Apr
May
Jun
Jul
Aug
Sep
Oct
Nov
Dec
Jan
Feb
Mar
Apr
Për përcaktimin e procedurave dhe dokumentacionit për autorizimin e organizatave jofitimprurëse, që ofrojnë ndihmë juridike parësore të garantuar nga shteti
- Tipi i dokumentit : Vendim
- Lloji i aktit : Akt bazë
- Permalink ELI: http://qbz.gov.al/eli/vendim/2019/02/06/55
- Nr. i aktit : 55
- Data e aktit : 06/02/2019
- Institucioni përgjegjës : Këshilli i Ministrave
- Fletore Zyrtare nr. : 15
- Data e publikimit në Fletore Zyrtare : 12/02/2019
- Fusha e veprimtarisë : Prona
VENDIM
Nr. 55, datë 6.2.2019
PËR PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE DHE DOKUMENTACIONIT PËR
AUTORIZIMIN E ORGANIZATAVE JOFITIMPRURËSE, QË OFROJNË NDIHMË
JURIDIKE PARËSORE TË GARANTUAR NGA SHTETI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 15, të ligjit nr. 111/2017, “Për
ndihmën juridike të garantuar nga shteti”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i
Ministrave
VENDOSI:
1. Përcaktimin e procedurave dhe dokumentacionit për autorizimin e organizatave jofitimprurëse,
që ofrojnë ndihmë juridike parësore të garantuar nga shteti, sipas parashikimeve të këtij vendimi.
2. Organizatat jofitimprurëse japin shërbime të ndihmës juridike parësore të garantuar nga shteti,
në përputhje me autorizimin e miratuar nga ministri i Drejtësisë.
3. Kriteret ligjore, që duhet të përmbushin organizatat jofitimprurëse që autorizohen për
dhënien e shërbimeve të ndihmës juridike parësore të garantuar nga shteti, janë ato të përcaktuara në
nenin 15, të ligjit nr. 111/2017, “Për ndihmën juridike të garantuar nga shteti”.
4. Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas bën publik njoftimin për aplikim, i cili përmban adresat e
komunikimit, dokumentacionin që duhet të depozitohet, afatin, i cili duhet të jetë jo më pak se 30
(tridhjetë) ditë nga data e njoftimit, dhe vendin e dorëzimit të tyre, si dhe të dhëna të tjera të
nevojshme për aplikimin për autorizim. Ky njoftim publikohet në faqen zyrtare të këtij institucioni,
të Ministrisë së Drejtësisë dhe në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare.
5. Dokumentacioni që duhet të depozitojnë organizatat jofitimprurëse, që aplikojnë për marrjen e
autorizimit që lëshohet nga ministri i Drejtësisë, për të ofruar shërbime të ndihmës juridike parësore
të garantuar nga shteti, përmban:
a) aktin e regjistrimit në gjykatë;
b) kopjen e statutit, ku specifikohet si pjesë e veprimtarisë ofrimi i ndihmës juridike;
c) dokumentacionin që provon përvojë në ofrimin e ndihmës juridike parësore, të paktën në 3
(tri) vite të veprimtarisë së tyre, duke përfshirë, si më poshtë vijon:
i. listën e plotë të projekteve të ndihmës juridike parësore të zhvilluara nga organizata gjatë 3 (tri)
viteve dhe të dhëna statistikore për përfituesit e ndihmës parësore;
ii. raportet përfundimtare për secilin nga projektet e listuara, si dhe pasqyrat financiare;
iii. buxhetin total të secilit projekt, donatorët përkatës, si dhe listën e ekspertëve të brendshëm
dhe të jashtëm të përfshirë në këto projekte;
iv. letra vlerësimi nga të paktën 2 (dy) subjekte përfituese;
ç) vërtetimin nga organet tatimore që i ka përmbushur në mënyrë të rregullt detyrimet;
d) vërtetim nga gjykata se nuk është në procedurë falimenti dhe/ose likuidimi;
dh) vërtetim nga prokuroria dhe gjykata se anëtarët e organit më të lartë vendimmarrës dhe të
organit ekzekutiv nuk janë në proces hetimi apo gjykimi për çështje që cenojnë besimin e publikut
dhe ofrimin e përshtatshëm të ndihmës juridike;
e) formularin e gjendjes gjyqësore të anëtarëve të organit më të lartë vendimmarrës dhe të organit
ekzekutiv.
6. Aplikimi për autorizim i shoqëruar me dokumentacionin e përcaktuar në pikën 5 të këtij
vendimi dorëzohet pranë Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas, e cila vlerëson nëse aplikimi është
kryer brenda afatit të caktuar në njoftim, shqyrton përmbushjen e kritereve ligjore dhe verifikon
dokumentacionin e dorëzuar.
7. Aplikimet e paraqitura jashtë afatit nuk kualifikohen. Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas
njofton aplikuesit nëpërmjet postës elektronike lidhur me këtë disponim.
8. Në rast të konstatimit të mungesës së dokumentacionit, Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas
njofton aplikuesin për dorëzimin e dokumentacionit plotësues brenda 10 (dhjetë) ditëve pune nga
data e njoftimit. Mossjellja e dokumentacionit plotësues brenda këtij afati passjell skualifikimin.
9. Procedura e verifikimit të kritereve ligjore dhe e vlerësimit të aplikimit për autorizim bëhet në
përputhje me parashikimet e Kodit të Procedurave Administrative. Procedura e shqyrtimit të
aplikimit zhvillohet brenda një afati të arsyeshëm, por, në çdo rast, jo më vonë se 60 (gjashtëdhjetë)
ditë nga data e përfundimit të afatit të njoftimit, sipas pikës 4 të këtij vendimi.
10. Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas verifikon dokumentacionin e paraqitur nga aplikuesit për
marrjen e autorizimit dhe, në përfundim, përgatit një relacion vlerësues për secilën organizatë
jofitimprurëse që ka aplikuar. Relacioni përmban të dhënat e dokumentacionit të paraqitur,
vlerësimin mbi përmbushjen ose jo të kritereve ligjore dhe propozimin përkatës.
11. Propozimi i shoqëruar me relacionin vlerësues i paraqitet ministrit të Drejtësisë, i cili, brenda
10 (dhjetë) ditëve pune nga data e përfundimit të procedurës së verifikimit dhe vlerësimit të
aplikimit, miraton ose jo dhënien e autorizimit.
12. Aplikimi për autorizim nuk miratohet kur organizata jofitimprurëse nuk plotëson kriteret
ligjore të përcaktuara në nenin 15, të ligjit nr. 111/2017, “Për ndihmën juridike të garantuar nga
shteti”. Me kërkesën e saj, organizatës jofitimprurëse i njoftohen shkaqet e skualifikimit.
13. Organizata jofitimprurëse që ngre pretendime për plotësimin e kritereve ligjore ka të drejtën e
ankimit pranë ministrit të Drejtësisë, duke paraqitur arsyet dhe dokumentacionin mbështetës brenda
5 (pesë) ditëve pune nga data e njoftimit. Ky afat mund të zgjatet për rrethana të arsyeshme, të cilat
nuk lidhen me disponueshmërinë e organizatës jofitimprurëse. Ministri i Drejtësisë shqyrton ankesat
dhe njofton organizatën jofitimprurëse lidhur me to brenda 10 (dhjetë) ditëve pune nga data e
regjistrimit të ankimit pranë Ministrisë së Drejtësisë. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në
gjykatën administrative kompetente.
14. Autorizimi i dhënë nga ministri i Drejtësisë është i vlefshëm për një periudhë dyvjeçare.
15. Ministria e Drejtësisë publikon listën e organizatave jofitimprurëse të autorizuara që ofrojnë
shërbime të ndihmës juridike parësore në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë, listë e cila
hartohet dhe përditësohet nga Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas mbi bazën e të dhënave të
regjistrit që mban kjo drejtori.
16. Ministri i Drejtësisë, me propozimin e Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas, mund të
revokojë autorizimin e dhënë një organizate jofitimprurëse në rast se vërteton, kryesisht, apo bazuar
në faktet e parashtruara në ankesat e paraqitura pranë Ministrisë së Drejtësisë dhe informacionet e
Drejtorisë së Ndihmës Juridike:
a) mospërmbushjen në mënyrë të përsëritur të ofrimit të shërbimeve të ndihmës juridike
parësore;
b) paraqitjen me qëllim të të dhënave të pasakta gjatë procesit të verifikimit të cilësisë së ofrimit të
shërbimit të ndihmës juridike parësore;
c) mungesën e respektimit të standardeve dhe cilësisë së shërbimit të ndihmës juridike të ofruar;
ç) se anëtarët e organit më të lartë vendimmarrës dhe të organit ekzekutiv të organizatës
jofitimprurëse nuk janë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre
penale me dashje dhe që do të cenonte besimin e publikut dhe ofrimin e përshtatshëm të ndihmës
juridike.
17. Revokimi i autorizimit i njoftohet organizatës jofitimprurëse, si dhe publikohet në faqen
zyrtare të Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në
gjykatën administrative kompetente.
18. Çdo e dhënë lidhur me miratimin apo revokimin e autorizimit të organizatës jofitimprurëse
regjistrohet në regjistrin e organizatave jofitimprurëse, të cilat ofrojnë ndihmë juridike parësore që
administron Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas.
19. Organizata jofitimprurëse e autorizuar për dhënien e shërbimeve të ndihmës juridike parësore
njofton menjëherë Drejtorinë e Ndihmës Juridike Falas për ekzistencën e rrethanave dhe fakteve, të
cilat e bëjnë të pamundur ose e vështirësojnë ofrimin e shërbimit të ndihmës juridike parësore të
garantuar nga shteti, me qëllim që kjo e fundit të marrë masa për të siguruar një ofrim të pandërprerë
të shërbimit të ndihmës juridike parësore.
20. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas për zbatimin e këtij
vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
Erion Braçe
Duke shfaqurnga 3
45%